‘Gabimet’ e opozitës përballë ‘fuqisë’ së qeverisë?

E vështirë t’i përgjigjesh sot pyetjes: Përse kjo opozitë nuk e mund, nuk e rrëzon dot një qeveri kaq të kontestuar? Ideja për të sulmuar opozitën si të paaftë, në pamje të parë, ngjan me një lajm pozitiv për një shoqëri demokratike, pasi një shqetësim i tillë lidhet me shqetësimet e qytetarëve për të parë një forcë që i jep shpresë për një qeveri më të mirë në të ardhmen. Megjithatë, kur kthen kokën pas dhe numëron akuzat e opozitës ndaj kësaj qeverie, të cilat koha i ka vërtetuar, si për të inkriminuarit, drogën, blerjen e votave apo korrupsionin masiv, sheh se opozita i ka thënë të vërtetat që kanë ndodhur në këto gjashtë vjet qeverisjeje të Ramës.

Por, atëherë, çfarë kërkojnë qytetarët më shumë nga një opozitë: një opozitë që denoncon krimin dhe korrupsionin, apo një opozitë që ndërton alternativa? Ndoshta duhen koordinuar të dyja qëndrimet. Opozita e sotme, pavarësisht se ka deklaruar se me ardhjen e saj ne pushtet do të ketë ndryshime në ekonomi me anullimin e PPP-ve, me rritjen e pensioneve dhe asistencës, me zvogëlimin e kabinetit qeverisës dhe uljen e normës së tatim-fitimit dhe taksave të tjera, sërish ajo është gjendur sërish nën disa akuza se është e paaftë të largojë nga skena një qeveri të korruptuar. E çuditshme është se një pjesë të këtyre akuzave i ka dirigjuar mazhoranca, madje vetë Rama, i cili nuk e ka patur problem të mbjellë në publik një shprehje reklamash që dikur e kishin një firme moblijesh: “ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk keni parë!”. Pra, thënë hapur, kryeministri, që ka shuar thuajse çdo institucion tjetër, duke e identifikuar veten me legjislativin, me ekzekutivin, me gjyqësorin, madje edhe me vetë median, nuk e ka më problem të paraqitet si njëri që “gabon, por gjithnjë më pak se ata që mund të vijnë në pushtet!”.

Të thuash se opozitën aktuale e kanë ndëshkuar qytetarët për shkak të bojkotimit që i bëri Kuvendit, do të duhej të besonim sërish se vetëdija qytetare në Shqipëri është në atë pikë sa nuk lejon devijimin e demokracisë e as braktisjen e institucioneve. Mirëpo, nëse do të ishte kështu, bashkë me opozitën, do të duhej të ishte ndëshkuar edhe kryeministri, i cili ka pushtuar çdo institucion, duke degraduar çdo marrëdhënie të qytetarëve me institucionet, duke lënë vendin pa institucionet e drejtësisë, ç’ka i hap rrugën një gjysmë-diktature, pasi ai është kryeministri, kryeshërbëtori, mekaniku, kryemamia, inxhinieri, falësi, ndëshkuesi, kryebamirësi, gjyqtari, etj., etj. Domethënë, të gjithë gabojnë, përveç tij!!!

Por në një shoqëri, kur për zullumet e qeverisë fajësohet paaftësia e opozitës dhe nuk ka asnjë reagim popullor të qartë për shkeljet e dinjitetit, të ligjit, të pronës dhe ku kryeministri e konsideron alternativë normale braktisjen e atdheut, do të thotë se kemi të bëjmë vetëm me një dirigjim politik qëmundohet t’i orientojë njerëzit në zemërim. Po pse në zemërim? Sepse në zemërim njerëzit flasim nën pushtetin emocional, ç’ka i bën ata të besojnë se fajtori nuk është ai që bën të keqen (sepse ai nuk bën dot ndryshe dhe nuk fshihet prej kësaj), por ai apo ata që nuk mund të largojnë të keqen nga skena. 

Gazetari italian Giorgio Gandola, editor i gazetës “La Verità”, shprehej në një shkrim të tij mbi “shoqëritë e gënjeshtërta” se kolona zanore e shumë qeverive është mbështetja te zëri ulëritës i turmës, dhe për këtë kolonë zanore përdoren shumë “gazetarë të improvizuar” të cilët mbajnë lart këtë frymë të “denoncimit të atyre që mund të jenë alternativë”. Nuk ka gjykime për qeverinë, por alternativa e vetme është: Përse nuk duhet votuar kundërshtari që është i dobët!

Ndodh që shumë nga ata që debatojnë sot në emisione politike, ta nisin argumentimin me një kërkesë logjike se “në një vend ku mbiu gjysma e popullsisë kërkon të largohet, qeveria duhet të ikë sa më parë nga skena”. Por menjhëehre pas këtij argumenti ndërhyjnë “gazetarët e improvizuar”, të cilët “shqetësohen” për një problem me tepër rëndësi: Po kush do të vijë pastaj? Më pas i gjithë debati e kalon fokusin te gabimet e opozitës, duke i faturuar gjithçka të së shkuarës, pavarësisht se ka gjashtë vite që opozita nuk ka asgjë në dorë, ndërkohë që në pjesën më të madhe të këtij viti Rama ka patur në dispozicion edhe kartona të shumë prej atyre që hynë nga listat e opozitës dhe u bënë më të flaktët e projekteve të mazhorancës, me shumë pak përjashjtime.

Por a ka gabime opozita? Padyshim që nëse i hyn analizës, mund t’i numërosh gabime. Së pari, vendimi i papeshuar i lënies së mandatave, jo për faktin se lanë atë sallë, por më shumë për faktin se nuk parashikuan tradhëtinë e pasuesve në lista, me njerëz anonimë, që nuk shfaqin asnjë turp e aq më pak përgjegjësi ne atë që flasin apo votojnë. Madje duketsikur krenohen edhe me injorancën e tyre kur flasin në podiumin e Kuvendit. Ka ndodhur që jo pak kanë qeshur me performancën e tyre, duke harruar se këto të qeshura nuk janë për ta, por për liderët e opozitës që nuk e kishin llogaritur se listat nuk bëhen me numra, por me individë dinjitozë(Imagjinoni pak sikur të fitonte pushtetin opozita e sotme, ku pjesa më e madhe e tyre, në listën jofituese, do të ishin drejtues institucionesh!!!).

Një tjetër fakt më i rëndësishëm se listat e ikura, është mungesa e sotme e guximit nga opozita për të paraqitur një ekip që nesër do të udhëheqë qeverisjen, pra një ekip që do të debatojë sot me këdo përfaqësues të qeverisë, e që nuk mbart me vete gjynahet e së shkuarës. Qytetarët kanë jo vetëm nevojë por edhe të drejtë të njohin personalisht ata që nesër do t’i drejtojnë, që ta bëjnë më qartë dallimin.

Por, sado ne të gjejmë gabime te opozita, asgjë nuk mund ta justifikojë këtë dyndje të madhe publike për t’i kërkuar llogari opozitës. Aq më pak kanë të drejtë ata që në kurriz të PD-së u bënë dikur zyrtarë (e me pas edhe ish zyrtarë të pasur e me prona), pasi kushdo që ka qenë pjesë e asaj qeverisjeje, që së paku ka heshtur për korrupsionin e asaj kohe, duhet të mbyllë gojën dhe të heqë dorë nga të qenurit moralizuesi i së nesërmes politike. Ne si shoqëri duhet të mësojmë të kthejmë sytë nga qeveria, t’i kërkojmë asaj llogari, e jo të bëhemi pjesë e ankthit publik e të ushqehemi me spektaklin e një njeriu që kërkon të shesë modën e tij si pjesë të kënaqësisë së gjithë shoqërisë. Ky ankth publik, që shpesh merret me qillotat apo bautat e kryeministrit, veçe ushqen spektaklin që i nevojitet Ramës për të hutuar publikun, ndërkohë që jeta jonë vetëm sa shënon rrokullima gjithnjë e më të mëdha, mbi të gjithë te dëshira për ta projektuar jetën këtu, në këtë vend. 

Sindroma e kritikave ndaj opozitës, që ushqen dhe ushqehet nga qeveria, ka rrokur prej kohësh shumë nga ata që ndërtojnë opinione, të cilët janë bërë pjesë e shoqërisë së gënjeshtërt, jo me lajme të rreme, por me krijimin e ankthit përmes dyshimit për ata që mund të vijnë nesër në pushtet. “Mendjet e një gjenerate të tërë janë deformuar nga televizioni, duke e transformuar publikun në një tribù që beson vetëm në atë që i pëshpëritet në vesh”, thoshte shumë vite më parë profesori i komunikimit Marshall McLuhan. Ai parashikoi një demokraci iluzive të turmës, që komenton dhe nuk arrin kurrë në thelbin e asaj që duhet të kundërshtojë realisht, pasi qeveria i jep idenë se zëri i turmës dëgjohet. Një gënjeshtër që në Shqipëri ndoshta rrok një nga kulmet më të mëdha, përmes një kryeministri që qëllimin e vetëm ka të mashtrojë dhe të tallet me popullin e tij. Ahengu i ankthit është në kulm, ndaj klithma jonë për ta përballur duhet të jetë jo thjesht e madhe, por mbi të gjitha e vërtetë.