Mezani i lumtur në Kosovë: Atë që po jetoj unë dhe lojtarët, flas për...

Gentian Mezani ka folur për vështirësitë që ka hasur për të bindur fubollistët nga Kategoria Superiore për të luajtur në Kosovë.

Trajneri i Gjilanit ka zbuluar në “SuperSport” se si ka ndryshuar situata falë atmosferës së ndryshme që mbizotëron në futbollin në Kosovë.

“Ka qenë e vështirë për të bindur lojtarët nga Superiorja t’i bashkoheshin Gjilanit. Por e them me bindje ne këtë moment se jo më larg se 2 orë më parë kanë rinovuar 2 futbollistë të klubit, përpos Xheksosn dhe të gjithë që janë pjesë e Gjilanit me kontratë njëvjeçare duan që të vazhdojnë. Të gjithë që janë kërkojnë të rinovojnë.

Atë që po jetoj unë dhe lojtarët, flas për klubin tim apo edhe Dritën që i kemi në qytet, ka korrektësi në pagesa. Janë korrekt në çdo gjë të vendosur dhe mendojnë që të gjithë sportistët të mendojnë vetëm për punën e ndeshjen e radhës.

Po shoh që stadiumet boshatisen në Superiore, por këtu tifozët të mbështetin gjithmonë. Kur ne ishim dobët vitin e kaluar dhe rrezikonim rënien, tifozeria na mbështeti edhe më shumë e jo vetëm në ndeshje, por edhe në seanca stërvitore, na jepte shtysë për ndeshjen e radhës. Kjo edhe e mira këtu. Vetëm një javë më parë isha në Vlorë dhe tifozeria e kishte braktisur skuadrën. Mendoj se duhet mbështetur ekipi në momentet e vështira”, tha Mezani.