Sane dëshiron transferimin te Bayerni në merkaton e janarit

Leroi Sane është duke punuar me intensitet të lartë për t’u rikthyer në fushën e lojës pas dëmtimit në gju, ku gjermanit iu desh të operohej duke humbur startin e këtij sezoni.

Por për cilën skuadër do të luajë talenti i Mançester Sitit në 2020-ën?

“Sport Bild” mësoi se lojtari kërkon të transferohet te Bajerni i Mynihut.

Lojtari u ka kërkuar drejtuesve anglezë që kjo të ndodhë që në merkaton e janarit.

Nëse ky skenar është i vërtetë, atëherë të dyja skuadrat priten të ulen së bashku për të folur më konkretisht mbi këtë gjë.

Në verën që shkoi, të dyja klubet kishin rënë dakord për një transferim që do t’u kushtonte bavarezëve 150 milionë euro, por që dështoi pasi lojtari u dëmtua në Superkupën e Anglisë ndaj Liverpulit.

Ky çmim pritet të bjerë ndjeshëm tani që lojtari nuk luan prej pesë muajsh.

Gjithsesi, Bajerni nuk kërkon të nxitohet, edhe pse dëshira e gjermanit është të rikthehet në Bundesligë.

Kampionët në fuqi duan që të sigurohen më parë që rikuperimi i lojtarit po ecën mirë dhe se ai mund të jetë në fushën e lojës së shpejti.

Sane pritet të rikthehet të luajë vetëm në muajin mars ndoshta edhe më përpara.

Lojtari do të vazhdojë të jetë një nga objektivat kryesorë të Bajernit edhe në merkaton e verës.