Shkeli kontratën me Mustafën/ Zyrtari i lart gjerman, leksion Kurtit: Nuk flitet, derisa të shihet tymi i bardhë

Christian Schmidt, zyrtari i lart gjerman, gjatë një deklarate për mediat, e ka kritikuar liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin, mbi seriozitetin në respektimin e marrëveshjeve.

“Duke e ditur që Albin Kurti sot është në Romë. Rregulla që vlen në Vatikan është se derisa njerëzit janë të mbyllur në kontratë, nuk duhet të flasin”, ka thënë Schmidt, duke iu referuar kështu deklaratave të Kurtit, për bisedimet që ka zhvilluar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Nuk duhet të flitet derisa të shihet tymi i bardhë”.

Kurti, pak ditë më parë, e kishte përqeshur Isa Mustafën, duke shkelur kështu një marrëveshje paraprake për moszbulim të detajeve nga takimet e përbashkëta, por edhe duke krijuar deklarata populiste në favor të tij.

Gjatë javës së kaluar, për herë të parë Kurti zbuloi shumë nga takimet me Mustafën.

“Në fillin e bisedimeve Mustafa ka thënë se duhet që ai të zgjedhë i pari. Unë i thash që të parët duhet të zgjedhim ne. Ai tha se duhet të zgjedhë i pari, i thash jo unë duhet të zgjedh i pari. Pyeta se a keni ndonjë ide se si të dalim nga kjo, tha jo nuk kam ndonjë ide. Nuk e di, tha unë duhet me zgjedh i pari”, tha sonte Kurti, shkruan Insajderi.

Duke vazhduar me zbulimin e detajeve, Kurti ka treguar se i ka propozuar kreut të LDK-së që të veprojnë sipas lojës në tenis, ku i pari do të bënte vetëm një zgjedhje, pastaj i dyti do të bënte dy.

Por sipas tij edhe pas kësaj, lideri i VV-së thotë se Mustafa donte të zgjedhtë i pari.

“Pa më dëgjuar deri në fund, tha unë po zgjedhi i pari”. 

 

Përsa i përket takimeve që kishte me Albin Kurtin, liderin e Vetëvendosjes, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës është treguar më konstruktiv përsa i përket takimeve.

“Nuk dëshirojmë tash që të dalim dhe të nxjerrim sekuenca nga takimet tona sepse ato pastaj po keqpërdoren, po zhvillohen më tepër në ambientin e një politike populiste, sesa të një qëndrimi konstruktiv për të gjetur zgjidhje”, ka thënë sot Mustafa.

“Kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne nuk kemi dhënë deklarata. Që të mos e shpërfaqim një situatë të themi që e kemi brenda sepse bisedimet kanë mospajtime edhe pajtime”.

Kurti dhe Mustafa ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, pavarësisht se kanë mbetur vetëm edhe shtatë ditë për krijimin e qeverisë.