Liderja e Skocisë: Do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet nëse Britania na bllokon votën për pavarësi

Londër – Qeveria nacionaliste e Skocisë do të shqyrtojë të gjitha mundësitë nëse qeveria britanike do ta ndalojë atë nga mbajtja e një referendumi për pavarësinë e Skocisë, tha të enjten Ministrja e Parë Nicola Sturgeon, sipas Reuters.

Partia Nacionale Skoceze, anti-BREXIT dhe pro-pavarësisë e Sturgeon (SNP), fitoi 48 vende nga 59 në parlamentin e Skocisë në zgjedhjet e përgjithshme britanike javën e kaluar, për të cilat ajo tha se treguan mbështetje të madhe për axhendën e saj, ku parashikohet mbajtja e një referendumi të tillë.

“Pyetja që shtrohet më shpesh për mua është: “Çfarë do të bëni ju nëse Boris Johnson thotë jo?"  Siç e kam thënë më parë, unë do të shqyrtoj të gjitha opsionet e arsyeshme për të siguruar të drejtën e Skocisë për vetëvendosje,” tha Sturgeon gjatë një fjalimi.

Skocezët e kundërshtuan pavarësinë me 55% përkundër 45% në një referendum në vitin 2014.

Johnson deri tani ka dhënë sinjale se nuk do të lejojë një referendum të dytë, por Sturgeon argumentoi që rrethanat kanë ndryshuar që atëherë, kryesisht sepse skocezët votuan që të mbeten në Bashkimin Evropian në një referendum në vitin 2016, në të cilin Britania e Madhe votoi si një e tërë që ta braktiste.

Ajo tha se qëndrimi i Johnson për çështjen e Skocisë do ta shtynte vendin drejt daljes. “Sa më shumë që një qeveri konservatore kërkon të bllokojë dëshirën e poppullit skocez, sa më shumë ata do të tregojnë përbuzje për demokracinë skoceze, aq më shumë do të rritet mbështetja për pavarësinë, kështu që strategjia e tyre afatshkurtër sipas mendimit tim, mbjell farat e humbjes ë tyre afatgjatë."