Miratimi i ligjit të censurës/ Reagojnë 15 grupime medias, hapat që do ndiqen

Miratimi në parlament i ligjit të censurës nga Edi Rama dhe deputetët e tij, ka sjellë reagimin e 15 organizata të medieve në vend.

Në një deklaratë të përbashkët, ata zotohen se do të mbështesin çdo gazetar dhe media që bie pre e ligjit të miratuar nga Rama.

Më tej, shoqata e gazetarëve njofton se do të nisin një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi publik mbi lirinë  e shprehjes dhe lirinë  e medias, duke theksuar se do të vijojë angazhimi afatgjatë për të rrëzuar këto projektligje, në gjykatat shqiptare, apo në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Reagimi i plotë i 15 organizatave:

Në përfundim të votimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të projektligjeve “antishpifje”, rrjeti i organizatave shqiptare përfaqësuese të gazetarëve dhe të të drejtave të njeriut bën këtë deklaratë:

1-Ne dënojmë vendimin e sotëm të Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar projektligjet në kundërshtim të hapur me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës.

2-Ne i bëjmë thirrje Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta të mos e dekretojë këtë projektligj.

3-Ne bëjmë të ditur se do të nisim një fushatë të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të publikut mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, pjesë e së cilës do të jetë angazhimi afatgjatë për të rrëzuar këto projektligje apo për t’i bërë ato të pavlefshme përmes betejave ligjore dhe qytetare në mbrojtje të lirisë së shprehjes, në gjykatat shqiptare apo në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

4-Ne i bëjmë thirrje gazetarëve të vijojnë punën për të raportuar drejtë dhe saktë dhe të mos frikësohen nga ekzistenca e këtyre ligjeve regresive.

5-Ne angazhohemi të mbështesim çdo gazetar që mund të përballet me padrejtësitë që mund të prodhojë një ligj i tillë.

Lista e organizatave firmëtare:

Këshilli Shqiptar i Medias

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

BIRN Albania

Citizens Channel

Faktoje

Instituti Shqiptar i Medias

Civil Rights Defenders

Instituti Shqiptar i Shkencave

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Qendra Res Publica

Grupi shqiptar në mbrojtje të të drejtave të njeriut