32 mijë njerëz do të protestojnë jashtë ‘Camp Nou’, dy orë para El Clasicos

Gjithsej 32 mijë njerëz janë regjistruar për të marrë pjesë në protestën e grupit “Cunami Demokratik” në Camp Nou sonte në orën 18:00, dy orë para fillimit të El Clasicos mes Barcelonës dhe Real Madridit.

Në protestë do të jenë të përfshirë njerëz nga e gjithë Katalonja e cila do të tentojë të krijojë impakt të madh për situatën politikë në Katalonjë.

Organizatorët e protestës kanë insistuar se protesta e tyre nuk duhet ta ndikojnë rrjedhën normale të ndeshjes.

Për këtë protestë janë caktuar katër pika grumbullimi përreth stadiumit, ku njerëzit do të mblidhen varësisht nga shtëpitë e tyre.

Gjithashtu, grupi “Cunami Demokratik” ka bërë të ditur se të gjithë të regjistruarit për pjesëmarrje tashmë janë pajisur me sloganet përkatëse dhe se “gjithçka është gati për ditën që do të ndiqet nga 650 milionë njerëz në mbarë botën”.

Grupi në fjalë e ka arsyetuar këtë plan duke thënë se “Katalonja është duke kaluar nëpër një situatë të jashtëzakonshme dhe është e nevojshme të ndërmerren veprime të jashtëzakonshme”.

“Për momentin”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga “Cunami Demokratik, “një pjesë e rëndësishme e popullsisë katalanase po e vuan përjashtimin nga shoqëria për shkaqe ideologjike”.

“Ata nuk mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre fondamentale pa u shtypur. Dhjetëra njerëz janë ose kanë qenë në burg vetëm për shkak se i kanë ushtruar apo promovuar këto të drejta”.