Kush do drejtojë SPAK-un? Altin Dumani prezantohet në KLP

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka nisur mbledhja me tre kandidatët që kanë aplikuar për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili kërkojnë të drejtojnë strukturën e re që do të ketë objekt të hetimin e niveleve të larta të krimit të organizuar, por edhe të korrupsionit.

Tre kandidatët do të prezantojnë platformën e tyre se si do e drejtojnë për tre vite SPAK. Altin Dumani ka mbërritur i pari, ndërsa ka bërë edhe prezantimin e tij.

Dumani theksoi se në Prokurorinë e Posaçme, prokurorët duhet të ndahen në dy pjesë, seksioni për krimin e organizuar dhe seksioni për korrupsionin.

“Në Prokurorinë e Posaçme, prokurorët duhet të ndahen në dy pjesë, seksioni për krimin e organizuar dhe seksioni për korrupsionin. Në vijim, zgjedhja e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pa këtë të fundit ne nuk mund të funksionojmë. Pas zgjedhjes së kreut të BKH, fokusi do të kaloj te zgjedhja e pjesëtarëve të BKH”, u shpreh ai.

Po ashtu ai theksoi se në BKTH duhet të ketë njerëz me integritet dhe se për të arrkitur këtë duhet që paga të jetë joshëse. Mirëpo, shtoi se ai do të punonte për të gjetur ekspertë të motivuar uk kanë parësore anën financiare .

“BKH duhet të ketë njerëz me integritet të mirë moral. Për këtë duhet joshje, dhe është pikërisht paga për të thithur në Prokurorinë e Posaçme, ekspertët më të mirë. Na është premtuar se kategoria e pagave do jetë në nivel të kënaqshëm. Unë do mëshoj shumë për të gjetur ekspertë të motivuar, që duan të punojnë e nuk kanë parësore anën financiare. Ta shohin këtë institucion si parësor. Ky vend ka njerëz të tillë, shpresojmë të thithim këtë kategori.

Kam investuar 20 vite në Prokurori për të dhënë kontributin tim, kam vënë në dispozicion të gjithë fuqinë time. Asnjëherë nuk kam braktisur grupin dhe kam cilësitë e duhura për frymën profesionale për mbështetje”, u shpreh Dumani, teksa shtoi se ka kaluar mbi 4000 dosje ku sipas tij është përballur më gjithe ngjarjet e mundshme në gjithë territorin.

KLP ka vendosur që intervistat e kandidatëve të jenë publike. Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video dhe do të zgjasin 30-45 minuta për secilin kandidat. Pikëzimi i kandidatëve pritet të dalë ditën e nesërme.