Vranë teknikun e kondicionerëve, ja çfarë tha para gjykatësit një nga vëllezërit

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg shtetasin Albano Kusi, i cili është akuzuar për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, në lidhje me atë që njihet si vrasja e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj, ngjarje e ndodhur në Tiranë, në muajin gusht.

Kusi u vetëdorëzua dy ditë më parë, ndërkohë që para trupit gjykues ka mohuar akuzën duke u shprehur se ka qenë me të dashurën dhe se nuk ka kryer asnjë veprim që të pengojë zbardhjen e ngjarjes.

Albano Kusi ka thënë se në momentin që ka ndodhur ngjarja ishte në zonën e Brrylit në kryeqytet dhe për këtë ka dëshmitare edhe të dashurën e tij.

Prokurori i çështjes Julian Zonja ka pohuar se janë kryer të gjitha  hetimet ndërsa prokuroria është në fazën e analizës së provave.

Disa javë më parë, është vetëdorëzuar edhe Griseldo Kusi, vëllai i Albano Kusit, i cili ka pranuar ngjarjen duke mohuar përfshirjen e të vëllait. Po pavarësisht pretendimeve të avokatit dhe vet Albano Kusit gjykata ka vendosur të lërë në burg Albanon duke mos marrë parasysh pretendimet e tij.

Ngjarja  e rëndë ndodhi më 22 gusht rreth orës 11.00, në rrugën Muhamet Gjollesha, Tiranë, në ambientet e katit të parë të godinës tre katëshe në pronësi të Bujar Kusit (babai i dy vëllezërve Kusi).Ndërkohë vëllai, Grisledo Kusi i cili u dorëzua rreth një muaj më parë, ka pranuar se  vrasja e ish teknikut te kondicioneve ka ndodhur nga pakujdesia .