OSBE dhe BE kundër, Rama kërkon miratimin në seancë të ligjit të censurës

Edhe pse me faktorin vendas dhe ndërkombëtar kundër, kryeministri Edi Rama duket i vendosur ti shkojë deri në fund miratimit të së ashtuquajturës “Paketa anti-shpfje”.

Përmes një postimi në Twitter, Rama shpreh keqardhje për të gjithë ata, që sipas tij, po përdorin lirinë e shprehjes për tu ankuar për mungesën e lirisë.

 “Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë, për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin", poston ai në Twitter.

Shefi i mazhorancës shton se, paketa, e cila do hyjë nesër për miratim, vjen pas një pune të përbashkët 1-vjeçare me OSBE.

“Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës nën drejtimin e Harlem Desir. I falënderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore paktës Antishpifje", shkruan Rama.

Nesër, në ora 09:30, komuniteti i gazetarëve do të mbajë një protestë para Parlamentit për të shprehur edhe një herë kundërshtinë e tyre me nismën e qeverisë. /SYRI.net