Erdogan: 1 milion refugjatë do të kthehen në Siri shumë shpejt

Gjenevë – Presidenti turk Erdogan njoftoi të martën për rikthimin e 1 milion refugjatëve sirianë në atdheun e tyre brenda një periudhe të shkurtër kohe dhe akuzoi fuqitë e mëdha se po lëviznin më shpejt për të mbrojtur fushat e naftës në Siri sesa fëmijët e saj, njoftoi Reuters.

Erdogan, që ka pritur në vendin e tij 3.7 milionë refugjatë sirianë, popullimin më të madh të refugjatëve në botë, tha se më shumë se 600 mijë do t’i bashkohen vullnetarisht 371 mijë personave që gjenden në “zonën e paqes” në Sirinë veriore prej nga ku Turqia ka dëbuar milicinë kurde.

“Ne duhet të gjejmë një formulë që do të t’i lejojë refugjatët të qëndrojnë në vendet e tyre dhe ata që janë në Turqi, të kthehen paqësisht dhe të rivendosen në atdheun e tyre,” tha ai.

Duke iu drejtuar Forumit Global për Refugjatët në Gjenevë, ai tha se Turqia ka harxhuar 40 miliardë dollarë për të pritur refugjatët gjatë nëntë viteve dhe kritikoi Bashkimin e Europian që kishte caktuar afro  6.6 miliardë dollarë dhe nuk kishte arritur t’i dorëzonte të gjitha.

“Ne jemi duke pritur ende të marrim ato 3 miliardë eurot që na janë premtuar”, tha ai.

“Strehim dhe shkollim do të jepet në zonën veriore, ku 371 mijë  sirianë janë kthyer që kur operacionet ushtarake të Turqisë spastruan zonën nga “organizatat terroriste”, tha ai, duke i emëruar njesoj si Shtetin Islamik, edhe YPG dhe PKK, separatistët kurdë brenda Turqisë.

“Nëse do të mund të zbatojmë projektet për të cilat kam folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, unë mendoj se do t’i rivendosim lehtësisht 1 milion persona për një periudhë kohe të shkurtër.