Arben Malaj: Pse po e përmend tani punën e fiqve të Veliajt

I ftuar në studion e ABC-ja e Mëngjesit me gazetarin Enkel Demi, ish-ministri i Financave dhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, ndau me publikun perceptimet dhe opinionet e tij në lidhje me kërkesën për shkarkim, nga ana e qeverisë nga detyra e tij në Bankën e Shqipërisë. Malaj tha se e gjitha bëhet sepse ka qenë kritik ndaj kryeministrit, qeverisë, por edhe ndaj bashkisë dhe kryetarit të saj. Malaj gjithashtu tha se ishte tërhequr nga angazhimi i tij si koordinator i grupit të ekonomistëve në bashkinë e Tiranës sepse punohej me arrogancë ndaj vendit.

Enkel Demi: Këta thonë që ju keni shkelur etikën.

Arben Malaj: Unë para se të jem profesor dhe anëtar i bordit, jam qytetar i vendit tim, dhe kërkoj të jetoj i lirë, në qytetin tim. Disa thonë që profile kaq të larta politike, nuk merren me gjëra të vogla, siç janë gjobat e bashkisë, siç është arroganca e nxjerrjes së 400 fëmijëve në mes të dimrit te rruga ‘Astir’, siç është etiketimi i qytetarëve që protestojnë shpellarë, siç është fakti që dikush që ka shitur fiq, e bën dasmën në kala, apo një nënkryetar bashkie që fle me 900 euro në Spanjë, d.m.th unë kam reaguar për të gjitha këto.

Enkel Demi: Ju keni qenë këshilltar i kryetarit të bashkisë së Tiranës?

Arben Malaj: Po, edhe i Edi Ramës sa herë më ka kërkuar.

Enkel Demi: Ju e dinit këtë punën e fiqve përpara se të bëheshit këshilltar, pse e thoni sot?

Arben Malaj: Nuk është se e them sot se s’jam më, por sepse jam inspiruar shumë edhe nga rasti i Hillary Clinton me Barack Obamën, e cila tha: “Ju nuk e dini se sa shumë e kemi sharë ne njëri-tjetrin, bile Obama i pagoi dhe deficitin e fushatës, por kur ftohesh për t’i shërbyer vendit tënd, të gjitha harrohen”.

Enkel Demi: Të jesh këshilltar i kryetarit të bashkisë i shërben qytetit…

Arben Malaj: Jo, unë isha koordinator i grupit të ekonomistëve dhe kam shërbyer me shumë profesionalizëm, dhe në momentet që kam dëshiruar të qeveriset me zemër, dhe jo me arrogancë, nuk u morën parasysh këshillat e mia dhe atëherë u tërhoqa.