Neglizhenca fatale/ Gati arrestimet edhe për vdekjet në Thumanë

Edhe Prokuroria e Krujës duket se ka përgatitur urdhër-arrestet e para për personat që dyshohet se janë përgjegjës për vdekjet dhe shkatërrimet e banesave në zonën e Thumanës, Krujës dhe Fushë-Krujës.

Burime nga organi i akuzës bënë të ditur për Vizion Plus se po bëhen verifikimet e fundit në dokumentacionin e sekuestruar në zyrat e Urbanistikës dhe të ALUIZNIT.

Po ashtu janë marrë edhe dëshmi të shumta të banorëve në pallatet e shkatërruara të Thumanës, ku humbën jetën shumë persona.

Disa prej tyre i kanë pohuar hetuesve se autoritetet kanë qenë në dijeni të problemeve në këto objekte që pas tërmetit të 21 shtatorit, por nuk i kanë dhënë zgjidhje kësaj situate. Një neglizhencë kjo që rezultoi fatale për shumë familje në 26 nëntor.

Në listën e personave të dyshuar janë autoritete lokale si dhe zyrtarë të Urbanistikës dhe ALUIZNI-t.

Një ditë më parë ishte Prokuroria e Durrësit ajo që lëshoi 17 urdhër-arreste, duke ekzekutuar 9 prej tyre ndërsa të tjerët janë në kërkim.