Vrasja e Enver Boriçit/ Dy pistat ku po hetohet, dyshimet për...

Policia nuk ka shoqëruar akoma asnjë person pas ngjarjes së rëndë në Lushnje, ku i vrarë mbeti ish-anëtari i ‘Bandës së Lushnjes’, Enver Boriçi.

Burimet thonë se hetimet janë shtrirë në dy pista.

Fillimisht në qendër të hetimeve është vendosur e shkuara e Boriçit si anëtar i bandës famëkeqe.

Por policia ka dyshime se Boriçi mund të jetë përfshirë në gjobëvënie.

Pas veprimeve të para, grupi hetimor nuk ka arritur të ngrejë dyshime të arsyeshme për asnjë person që mund të jetë i lidhur me krimin.

Të vetmi që janë marrë në pyetje kanë qenë familjarët e Enver Boriçit, për deklarimet e të cilëve grupi hetimor tregohet i rezervuar.

43-vjeçari, i dënuar për përfshirje në organizatë kriminale, shkatërrim të pronës me zjarr dhe dhunim të varreve, u vra në lokalin e tij në lagjen ‘Kadri Qystri’ të Lushnjes.

Autori, sipas burimeve, ishte i maskuar dhe pas krimit është larguar me një makinë që e priste afër lokalit.

Vëllai i viktimës, Arben Boriçi, i cilësuar si krahu i djathtë i Aldo Bares, vuan dënimin e përjetshëm në burgun e Peqinit.