Hasan Lika flet ‘pa doreza’: Ka ndërhyrje nga presidentët. Nuk jam kundër trajnerëve të huaj, por...

Hasan Lika është një ndër trajnerët që e njeh shumë mirë futbollin në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij si teknik, Lika ka drejtuar shumë skuadra të njohura në kampionatin shqiptar të futbollit.

Së fundmi, Lika ka komentuar situatën e çuditshme në të cilën ndodhen, Partizani, Teuta dhe Luftëtari, të cilat kanë mbetur pa trajner.

Duke folur nga SHBA, ku ka emigruar me familjen, ai ka treguar në “ZonaGol” problemet e futbollit shqiptar sa i përket trajnerëve, ndërsa ka insistuar se nuk e mendon kthimin në vendin tonë.


“Mendoj se largimi i trajnerit nga Partizani nuk është vetëm nga rezultati. Ndoshta ka qenë menaxhimi i situatës deri në këto momente, ndeshja u humb me Tiranën por Partizani kishte shumë mungesa në formacion. Më shumë mendoj se janë akumuluar probleme të cilat trajneri nuk arriti t’i zgjidhë dhe u mor ky vendim.

Nuk jam kundër trajnerëve të huaj, por mendoj se të gjithëve nuk u është lënë koha e duhur, nuk kanë pasur në shumicën e rasteve. Sigurisht mund të  bëhen hapa të gabuar në kampionat por nxitimi është karakteristikë e jona e ne nisemi nga emocionet e çastit. Duke qenë një humbje në derbi ndoshta mund të ketë ndikuar edhe kjo. Gjërat duhen parë në vazhdimësi për ecurinë e skuadrës, si është shprehur, si ka luajtur, aq më tepër marrëdhëniet e futbollistëve, ndonjëherë për të justifikuar rezultatin hiqet trajneri.

A ka ndërhyrje nga drejtuesit në Shqipëri? Patjetër që po, ndërhyrjet kanë qenë ndër më të ndryshmet, kanë qenë të karakterit sugjerues, urdhërues deri diku. Por natyrshëm unë mendoj që trajneri gjithmonë u beson zgjedhjeve të tij, pastaj merr përsipër zgjedhjet që  në fushën e lojës. Sigurisht çdo president ka preferencën e tij ndaj futbollistëve të veçantë, ndonjëherë edhe kanë të drejtë, por unë ia kam argumentuar me gjendje teknike.

Nëse vjen ofertë nga Shqipëria? Për momentin, kur je në tokën e premtuar, është e vështirë. Të them të drejtën nuk e mendoj që të rikthehem, sido që të jetë puna”, tha Lika.