Nishani: Problemi i vërtetë nuk është inkriminimi i rilindsve

Bujar Nishani, Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, u shpreh sot se “problemi i vërtetë i Shqipërisë nuk është korrupsioni dhe inkriminimi i rilindsve, por pesimizmi ynë si shoqëri se modeli i tyre mund të mposhtet.”

Më herët, për këtë temë të pesimizmit të shoqërisë, Nishani ka thënë: “Fatkeqësia që ju ra shqiptarëve ne këtë fundviti na tregoi po aq hapur sa egërsia e saj edhe papërgjegjshmërinë, paaftësinë e deri cinizmin e narcizmit antihuman të atij që me tepsinë në dorë ju lut shqiptarëve t’i besonin atij dhe vetëm atij jetën, pronën, sigurinë, qetësinë e ndihmesën në rast nevoje.

Se sa të përmirësuar e kanë jetën e tyre, se sa shumë e kanë zhvilluar apo shtuar pronën e tyre, se sa shumë e kanë shijuar e gëzuar qetësinë, se sa shumë e kanë ndier sigurinë e tyre shqiptarët në këto shtatë vite të qeverisjes së tepsisë, tashmë e dimë shumë mirë.

Ajo që e shtoi edhe më shumë dëshpërimin tek shpresa e humbur ishte dështimi me pasoja kriminale për t’i ndihmuar e kursyer më të keqen kur vetë e keqja ju ra mbi kurriz."