Deputetja e Kosovës kërkesë publike Edi Ramës: Anuloje takimin me Vuçiçin në Durrës

Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të bojkotojë takimin e radhës në Durrës, ku do të diskutohet për mini-Shëngenin, e ku është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi ky i fundit mohoi masakrën e Reçakut.

Sipas Reshitaj, kryeministri Rama nuk duhet të ulet në një tavolinë me Vuçiçin, i cili vazhdon të mohojë krimet e tmerrshme të kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë, pasi një gjë e tillë do të ishte fyerje jo vetëm për familjarët e viktimave dhe shtetin e Kosovës, por edhe fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve.

“Duke kujtuar se 20 vite më parë, nën petkun e flamurit shqiptar, pikërisht nën petkun e flamurit që ju përfaqësoni si kryeministër i shtetit shqiptar, u varrosën shumë fëmijë, pleq, gra e burra të pafajshëm, pas masakrës që cilësohet si njëra ndër ngjarjet më të tmerrshme që ka ndodhur në Ballkan. Pikë së pari, si një bashkëkombëse e Juaja, por edhe si një deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin tuaj të paraparë për 21 dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkojë falje, ai vazhdon t’i mohojë krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vetë si ministër”, shkruan Reshitaj në postimin e saj.