Takimi me ambasadorët/ Rama veçon mesazhin e SHBA dhe 'thumbon' BE-në

Në fjalën e tij para ambasadorëve në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e fundit të vitit, kryeministri Edi Rama u kërkoi sërish ndihmë për të përballuar faturën e tërmetit.

"Fatura është e lartë dhe besoj që këtë faturë mund ta përballojmë vetëm me ndihmën tuaj. I jam mirënjohës KE-së që vuri në lëvizje një mekanizëm për një shumë të parë, shpresoj që do të pasohet nga të tjera", u shpreh Rama.

Por teksa falenderoi të gjitha shtetet që ndihmuan Shqipërinë, kreu i qeverisë veçoi mesazhin e të ngarkuarës me punës të SHBA në Tiranë duke prekur Leyla Moses-Ones, ndërsa 'thumboi' BE-në kur tha se kush nuk inatoset me Bashkimin Europian, por sigurisht referenca nuk ishte për reagimin pas tërmetit, por si duket për vendimin e tetorit për negociatat. 

"Ju jeni ndjerë dhe treguar po aq shqiptarë sa shqiptarët. Unë e di sesi ju nuk pritët as të zbradhte dita për të na ofruar ndihmë. Nuk kam ndërmend ti publikoj ndonjëherë mesazhet tuaja që vijnë në telefonin tim dhe as nuk i ruaj, por mesazhin e Leyla Moses-Ones  e kam nxjerrë në një folder të veçantë dhe kur im bir 5 vjeç sot, Zaho të bëjë pyetjen e parë për SHBA-në, unë do i lexoj atë mesazh për ta prezantuar si shqiptar me Amerikën mike. Ashtu sikundër do të vijë dita kur im bir do të inatoset me BE-në, por kush nuk inatoset me BE? Unë do i tregoj heroizmat e atyre burrave dhe grave që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar shqiptarët", tha Rama.