Tërmeti shton të dehurit në timon, policia në aksion

Para pak ditësh, një shqiptar i arrestuar për aksident bëri bujë në Greqi pasi deklaroi në gjyq se kishte konsumuar raki pasi ishte mërzitur nga tërmeti në Shqipëri.

Por trauma e tërmetit duket se po shton numrin e personave që po kapen të dehur në timon. Numri i aksidenteve fatale në vend ka njohur rritje të ndjeshme.

Policia e Durrësit bëri të ditur se ka arrestuar në flagrancë katër persona pasi drejtonin mjetin në gjendje të dehur.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. T., 27 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Shijak-Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Fiat Punto” në gjendje të dehur, në masën 0.77 mg/l.

-S. I., 48 vjeç, banues në Qerret. Ky shtetas u konstatua në lagjen Nr. 17 duke drejtuar mjetin tip “Audi” në gjendje të dehur, në masën 0.97 mg/l.

-M. H., 48 vjeç, banues në Shijak. Në lagjen Nr. 13 duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen” është përplasur me mjetin e parkuar tip “Volvo”. Pas testit të alkoolit me aparat drage rezultoi se shtetasi M. H. kishte konsumuar alkool në masën 0.58 mg/l.

-G. D., banues në Karpen. Në segmentin rrugor Maminas-Shilore, duke drejtuar mjetin tip “Fiat Seicento”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen N. B., e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.