Zbulohen detajet e kontratës së re të Edi Rejës me Shqipërinë, ja paga e tij!

Edi Reja do vazhdojë të qëndrojë në stolin e Kombëtares shqiptare të futbollit.

Trajneri italian dhe presidenti Duka shpresojnë të bashkëpunojnë deri në Botërorin 2022, por në parim kontrata e Rejës do të rishikohet çdo vit.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollin sqaruan për “Abc News” se, sidoqoftë, në kontratë ka një klauzolë sipas së cilës të dyja palët do ta rishikojnë pas çdo viti. Trajneri ka deklaruar se nuk ka punuar kurrë me kontrata afatgjata, pasi ka dashur që ta kishte gjithnjë fatin e tij në duart e veta.

Duka, ndërkaq, ka pasur shqetësim lidhur me rezultatet, por edhe me shëndetin e teknikut italian që sot është 74 vjeç. Burimet në Federatë shtuan se trajneri i pohoi presidentit se kishte pasur kontakte nga Napoli, por kishte refuzuar gjithçka sepse kishte dhënë fjalën tek Shqipëria.

Rroga e trajnerit pritet të jetë ajo që ka qenë më parë, dhe që kanë pasur edhe paraardhësit e tij, De Biasi e Panucci, 22-23 000 euro në muaj. Shifra totale arrin në 600 000 euro, ndërsa do të shtohet edhe me rreth 100 000 euro të tjera, nëse Reja do të arrijë kualifikimin për në fazën finale të Botërorit në 2022.

Shpërblimi në rast arritje të Botërorit është ai që iu dha edhe De Biasit: 200 000 euro. Kombëtarja nis ndeshjet zyrtare në Ligën e Kombeve në periudhën nga shtatori deri në nëntor 2020, ndërsa faza finale do të jetë në qershor 2021.

Eliminatoret e Botërorit nisin në mars 2021 dhe përfundojnë në nëntor të po atij viti, me Play-Off në mars 2022. Përpara ndeshjeve zyrtare, ekipi i drejtuar nga Reja pritet të luajë miqësore në mars dhe qershor 2020.