Kosova bojkoton ceremoninë e Nobelit për Peter Handke, thirrje edhe Shqipërisë

I cilësuar si një përkrahës i madh i satrapit të Ballkanit, Sllobodan Milosheviçit, shkrimtari Peter Henke do të marrë këtë fundvit edhe formalisht çmimin Nobel për letërsi, në një ceremoni të madhe në Stokholm të Suedisë.

Po shteti i Kosovës ka shpallur se do ta bojkotojë këtë event, në shenjë revolte ndaj qëndrimeve të shkrimtarit Handke. Lajmin e jep ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Nëpërmjet një shënimi në FB ai ka njoftuar se Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e çmimit Nobel në Stokholm këtë vit. Njëkohësisht ai pret, që edhe Shqipëria të veprojë njësoj:

"Kosova nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në Stokholm këtë vit. Unë konfirmoj se ambasadorja jonë, znj. Shkëndije Geci Sherifi, do të bojkotojë këtë event për shkak të fituesit kontravers të Çmimit Nobel,  Peter Handke, mik dhe mbështetës i politikës së Millosheviçit. Unë gjithashtu pres që edhe Ambasadori i Shqipërisë të veprojë në mënyrë të ngjashme," ka shkruar Pacolli mëngjesin e kësaj të diele.