VOA thekson paradoksin: Kryesojmë OSBE-në, por Tufa kërkon azil

Shumëkush ka komentuar me habi në rrjetet sociale, kur ka parë kryeministrin Edi Rama teksa mbante fjalim pas marrjes së kryesimit të OSBE-së dhe fliste për luftën në Ukrainë.

Shqipëria vetë është si e dalë pas lufte, ndërkohë që demokracia shqiptare nuk ka njohur ditë më të zeza.

Paradoksin e drejtimit të OSBE-së në kohën kur një personazh i rëndësishëm i studimeve anti-komuniste në vend, shkrimtari dhe pedagogu i njohur Agron Tufa, braktis vendin duke kërkuar azil, e thekson edhe Zëri i Amerikës gjatë intervistës me Tufën.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa jemi në vitin 2019, dhe ironia është se pikërisht sot Shqipëria mori presidencën e radhës së OSBE-së, organizatë ku një komponent me rëndësi është komponenti human. Çfarë mendimi keni?

Agron Tufa: Këto lloj paradoksesh të një rendi absurd unë nuk di sesi kanë mundur të ngjasin, por sigurisht kjo gjendje nuk erdhi dhe u bë faktike e tillë, tani. Kjo ka qenë një mospërballim i situatës post-totalitare të Shqipërisë. Ne nuk u përballëm me detyrat, dhe detyra kryesore ishte eliminimi ose mënjanimi, spastrimi nga hapësirat publike të institucioneve të legjislacionit, të drejtësisë të trashëgimisë komuniste. Ata tashmë kanë mbërritur në një pikë konsolidimi, ndjehen të sigurtë madje përdorin edhe slangun e tyre të parapëlqyer të shantazheve dhe kërcënimeve me vdekje. Unë mendoj se ne nuk u përballëm dot atëhere kur duhej dhe si duhej me këtë trashëgimi, e cila sigurisht të vetmen mënyrë sjelljeje ka pasur atë të përndjekjes, të kërcënimeve, të dënimeve, pushkatimeve, e të genocidit siç i kam studiuar unë këto tetë vite në dokumentat e dosjeve të arkivave të sigurimit të shtetit.