Krimi në Reçak, i fabrikuar/ Avokati Gashi kallëzon penalisht Vuçiçin: Nxiti urrejtje me deklaratën e tij

Avokati nga Kosova, Tomë Gashi, ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në rrjetin social Facebook, avokati Gashi ka shkruar se kallëzimin penal ndaj presidentit Vuçiç, e ka ngritur “për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga Neni 147 i Kodit Penal të republikës së Kosovës”, raporton Rel.

Kallëzimi penal i avokatit Gashi ndërlidhet me një deklaratë të presidentit të Serbisë, me datën 5 dhjetor të vitit 1999, i cili ka thënë që “krimi në Reçak është i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai mashtruesi i botës, hajni dhe gënjeshtari (William) Walker”.

Kjo deklaratë e presidentit serb Vuçiç, ka ardhur si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila bazuar në Nenin 147 të Kodit penal të Kosovës, e ka dënuar me 2 vjet burg ish-ministrin e Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq, nga radhët e Listës Serbe.

Ky i fundit, më 24 mars 2019, në një tubim të qytetarëve serbë në Zveçan kundër intervenimit të NATO-s, publikisht kishte thënë që “Masakra e Reçakut ishte trillim” dhe që “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”.

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës është i shkallës së parë dhe kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.