Gjykata e Apelit të Durrësit zhvendoset në Kavajë

Gjykata e Apelit të Durrësit është zhvendosur përkohësisht në Kavajë.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësore, me qëllim vazhdimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore.

Njoftimi për mediat:

Për rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore të Gjykatës së Apelit Durrës dhe transferimin e përkohshëm të selisë së saj pranë godinës ku ushtron veprimtarinë gjykata e rrethit gjyqësor Kavajë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në nenet, 147/1, 147/a, pika 1 germa ‘d’ të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 61 të Ligjit nr.115/2019 ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’, i ndryshuar, në Ligjin nr. 98/2016 ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor’, në Ligjin nr. 45/2019 ‘Për mbrojtjen civile’, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 750, datë 27.11.2019 ‘Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë’, të ndryshuar, në Vendimin nr. 267, datë 02.12.2019 të Këshillit, ‘Për pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat e qarqeve Durrës, Tiranë dhe Lezhë’, si dhe në kushtet kur godina e Gjykatës së Apelit Durrës është e papërshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë së saj,

VENDOSI:

Rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore të Gjykatës së Apelit Durrës.

Transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës pranë godinës ku ushtron veprimtarinë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës dhe kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë të marrin masa për krijimin e kushteve të duhura në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi.

Kryetarët e gjykatave nën juridiksionin e Gjykatës së Apelit Durrës, në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi të dërgojnë dosjet gjyqësore në selinë e re të përkohshme të Gjykatës së Apelit Durrës, si dhe të marrin masa për të garantuar aksesin në gjykatë duke informuar publikun për transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.