Agron Tufa Kërkon azil politik në Zvicër/ Reagojnë studiues e kolegë

Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave te Komunizmit Agron Tufa, është larguar nga Shqipëria për shkak se i rrezikohej jeta.

Shkrimtari, publicisti dhe pedagogu Tufa ka kërkuar azil politik në Zvicër për shkak të pasigurisë së jetës së tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Nga një prej qendrave të azilantëve në Zvicër, ai ka bërë edhe kërkesën për tu dorëhequr nga posti i drejtorit të Institutit që mban akutualisht.

Largimi i tij ka shkaktuar një valë reagimesh, mes tyre kolegë të Tufës dhe studiues.

Pedagogia dhe kolegia e Tufës, Jonila Godole shprehet se, largimi i Tufës ka shkaktuar një tjetër “tërmet” të fortë në kauzën e ballafaqimit me diktaturën komuniste dhe jo vetëm.

“Agron Tufa me familjen nuk e perjetuan termetin e dates 26 nentor, por largimi i tij nga Shqiperia shkakton nje "termet" te forte fillimisht per miqte e tij te afert; per gjithe kauzen e ballafaqimit me diktaturen komuniste; per gjithe aktoret institucionale dhe private qe angazhohen ne kete drejtim si dhe per gjithe shoqerine shqiptare qe qendron indiferente ndaj goditjeve qe u jepen zerave kritike ne kete vend, a thua nuk paskemi mesuar asgje nga shurdheria dhe memeceria jone per 45 vjet.

Agroni ka paraqitur sipas rregullores doreheqjen e tij prane Bordit drejtues te ISKPK bashke me arsyet qe e kane detyruar te marre kete vendim, te cilat besoj se do behen publike se shpejti. Me siguri do te kete interpretime te ndryshme ne ditet qe vijne se perse ai ndermori kete rruge, a eshte e tepruar apo jo kanosja ndaj tij dhe familjes se tij, etj, etj...

Por si anetare e Bordit Drejtues shpreh personalisht indinjaten time te thelle per metodat e uleta depersonalizuese dhe kercenuese qe figura politike ne pushtet dhe ndihmesit e tyre perdorin vitet e fundit per te goditur çdo individ qe lufton per zbardhjen e krimeve te komunizmit; per te mbytur zerat kritike qe nxjerrin zbuluar regjimin e djeshem dhe trashegimine e tij te kalbur moralisht dhe politikisht qe e katandasi Shqiperine serish ne nje vend monopartiak”, shkruan Godole.

Pedagogia dhe kolegia e tij, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Elsa Skënderi, përmes një postimi në Facebook, shkruan se, largimi i Agron Tufës do të thotë një kapacitet intelektual më pak.

“Shkrimtari, profesori e mentori im, Agron Tufa paska kërkuar azil politik në Zvicër. U trishtova nga lajmi i kësaj ikjeje, por shpresoj shumë që profesor Tufës e familjes së tij të bukur t'iu shkëlqejë dielli i një jete më dinjitoze, pikërisht siç e meritojnë.

Ata që e kanë njohur mirë profesorin e dinë se Shqipëria mbeti me një kapacitet intelektual më pak, auditoret e fakultetit me një pedagog të shkëlqyer më pak. Ikjet e tilla për së gjalli, por të shtrënguara, janë dramat, dhimbjet e humbjet e vërteta të vendit sot.

Kush e ka provuar ikjen nga atdheu, e di mirë ç'shije ka e sa i dhembshëm është largimi. Por, siç thoshte Dostojevski "Më jepni një dhimbje dhe do t'ju jap një kryevepër", mbase për së largu profesor Tufa do të shkruajë kryevepra letrare me ngjyra malli dhe dritë lirie.

Të dëgjofshim zânin e mirë, profesor Tufa dhe po:
"Shqipëria ... s'është pjesë planeti, por yll, -

Loti që Zotit i pati pikuar"!”, shkruan Skënderi në postimin e saj.

Në të njëjtën linjën qëndron edhe studiuesi Erald Kapri. Sipas tij, përveç largimit të Tufës, trishtues është edhe fakti që Shqipëria vijon të mbetet peng i së kaluarës edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit.

“Një lajm i trishtë. Nje ze unik i kulturës, letrave dhe advokimit të fortë publik e la këtë vend. 30 vite pas rënies se diktaturës, Shqipëria vijon të mbetet peng nga e kaluara e saj. Urojmë fort që ngado e kurdo, Agroni të jetë prezent në shoqërinë tonë përmes unakalitetit të tij”, shkruan studiuesi Kapri.

Agron Tufa ka publikuar disa herë në mediat kërcënimet që i janë bërë privatisht dhe publikisht, por pavarësisht kësaj, në mungesë të një mbrojtje nga shteti shqiptar, ai zgjodhi të largohej drejt Zvicrës, bashkë me familjen e tij. /SYRI.net