Ra ky tërmet dhe shqiptarët po shohin patokracinë e Edi Ramës

Ka një arsye se përse pas katastrofave natyrore, njerëzit i hedhin sytë nga shteti si streha më e madhe që kanë ndërtuar së bashku për t’u mbrojtur nga më e keqja.

Po ashtu ka një arsye se përse pas katastrofave natyrore, në ballë të punëve dalin njerëz të pastër, të cilët kanë aftësinë për të menaxhuar situata të tilla si ekspertë, inxhinierë, zjarrfikës, ushtarakë, ekonomistë, zyrtarë të nivelit të dytë, etj.

Sikundër ka një arsye se përse qeveritarët e nivelit të lartë shfaqen rrallë nëpër pikat e tragjedisë, për shkak se janë njerëz që mbledhin gjithë kohës imazh të keq dhe energji negative mbi vete. Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Që nga dita e parë e tërmetit e çdo ditë në vazhdim, nga momenti që hapin sytë e deri kur bien në gjumë, shqiptarët shohin vetëm një fytyrë: atë që kishte akumuluar kaq shumë zemërim te njerëzit para tërmetit, aq sa stadiumet e vendit ishin kthyer në arena të protestave ‘Rama ik’.

Dikush mund të thotë me të drejtë se kjo ndodh për shkak se makineria e propagandës në autokraci synon që ta ndajë liderin nga sistemi që kanë ngritur. Simon Kuper thotë se liderët e korruptuar shfaqen si super-njerëz, duke pretenduar se vetëm ata mund të rregullojnë mizerjen që kanë krijuar.

Një tjetër mund të thotë, po ashtu me të drejtë, se kakistokracia e Edi Ramës është perfekte. Për informacion, kakistokracia është sistemi i qeverisjes i njerëzve të këqinj, të paaftë dhe të paskrupuj. Nuk është çudi që njerëzit pyesin se si ka mundësi që në PS nuk ka asnjë njeri të hajrit.

Por besimi se një tragjedi mund të përdoret si një ‘PR coup’, si një moment i artë propagande për të përmirësuar imazhin e një kryeqeveritari në kuotat më të ulëta, të fut frikën.

Ky delir dhe narcizëm i tepruar se Edi Rama me aftësitë e tij komunikative mund të përfitojë politikisht nga kjo dramë, fsheh nga pas diçka akoma më të rrezikshme.

***

Pasi e kaloi një pjesë të jetës duke vuajtur nën Hitlerin dhe Stalinin, psikologu polak Andrew Lobaczewski ia përkushtoi karrierën lidhjeve mes çrregullimeve psikologjike dhe politikës. Ai donte të kuptonte se përse narcistët tërhiqen kaq fort nga pushteti dhe pasojat e kësaj lidhje. Falë tij, sot kemi termin ‘patokraci’ për të përshkruar qeveritë e njerëzve me këto çrregullime.

Që në fillim duhet sqaruar se është shumë e vështirë të bësh përcaktime psikologjike për dikë. Por fakti që kryeministri shqiptar është narcist, nuk ka nevojë për asnjë konfirmim. Që ditën e parë në karrierë dhe në çdo moment të jetës politike, brenda e jashtë vendit, i shfaq tiparet e një narcisti.

Ai është një ‘attention-seeker’ (vëmendjekërkues) i jashtëzakonshëm. Doni shembuj? Shihni si flet në vetë të parë gjatë kësaj tragjedie, kur koha e kërkon të flitet me ‘ne’. A nuk është ai që po u thotë shqiptarëve se është udhëheqës që hap shtigje të reja, njeriu i vetëm në këtë vend që mund të menaxhojë këtë situatë? A nuk po u kërkon të gëzojnë se shyqyr që nuk iku ai, se kush do e bënte tjetër këtë punë?

Mirëpo patokracia shfaq së paku tre probleme.

E para, patokracia nuk është vetëm për një individ. Liderët patologjikë kanë tendencë të tërheqin rreth vetes të ngjashmit e tyre. Nuk është rastësi, fjala bie, që delirantë si Gent Cakaj, i cili thotë se do mbajë konferencë mbarëkombëtare ku do flasë vetëm, mblidhen rreth tij. Apo si ‘bojaxhiu’ Erion Veliaj, që thotë se do vendosë taksë për jabanxhinjtë dhe pas tërbimit në median sociale, thotë se këto para i do nga buxheti i shtetit, a thua se ky buxhet mbushet me dekret hyjnor e jo me taksa? Apo si shoumeni Rakip Suli? Ose merrni rastin më të fundit, atë të Valbona Sakos që kënaqet me 50 viktima. Por teksa këta njerëz mblidhen rreth pushtetit, njerëzit e tjerë të ndjeshëm dhe mendjehapur largohen të tmerruar nga patologjia në rritje. Si rezultat, patokracia bëhet më ekstreme.

Problemi i dytë është se patokratët nuk kanë empati. Narcistët nuk ndjejnë dhembshuri për të tjerë. Steve Taylor thotë se ata kanë nevojë për vëmendje dhe afirmim. Narcistët mendojnë se janë superiorë ndaj të tjerëve dhe kanë të drejtën për dominim. Mungesa e empatisë bën që të shfrytëzojnë dhe abuzojnë me njerëzit për hir të pushtetit. E di që ka njerëz që e kanë parë liderin me lot në sy këto ditë, por çfarë bëri gjatë këtyre dy dekadave? A tregoi se i dhimbsen njerëzit kur ndërtoi këtë katrahurë korruptive dhe kriminale? Apo mos u shqetësua që të mbronte njerëzit e varfër kur natyra e dha një sinjal në shtator?

Problemi i tretë vjen nga fakti se patokratët e urrejnë demokracinë. Kjo për shkak se demokracia, me vlerat dhe institucionet që ofron, mbetet mënyra më e mirë për të mbrojtur njerëzit nga politikanët patologjikë. Mirëpo kur vlerat bien, kur krimi, korrupsioni dhe mashtrimi bëhen normalitet, shpresa mbetet te institucionet. Se çfarë institucionesh ka Shqipëria dhe se në ç’nivele qesharake e ka katandisur shtetin ky njeri, e patë direkt pas tragjedisë kur të gjithë e bëmë dallimin me mënyrën se si reagojnë shtete si Kosova e Mali i Zi në raste katastrofash, pa shkuar më larg te shtete si Italia e Greqia.

Nuk është rastësi që në këto ditë të vështira, sulmet më të mëdha janë përqendruar ndaj medias së lirë si një nga ‘godinat’ e fundit të mbetura akoma në këmbë. Steve Taylor thotë se në Perëndim nuk duhet të shqetësohen nga patokratët, sepse kanë institucione. Po në Shqipërinë tonë, ku të gjitha institucionet kanë rënë një pas një si nga një tërmet i fuqishëm? Nëse do huazojmë logjikën e Sakos, i gjithë ky dorëzim në një dorë e ka një të mirë.

Të paktën e kemi të lehtë të identifikojmë autorin e vetëm të katrahurës.