De Laurentis konfirmon gjobat e lojtarëve, por mund të ndryshojë mendje vetëm në një rast

Ditën e djeshme në shtëpinë e Napolit u zhvillua “ndeshja e shumëpritur” mes presidentit Aurelio De Laurentis dhe lojtarëve të klubit.

Pas rrëmujës që ndodhi më 5 nëntor, numri një i klubit napolitan për herë të parë u takua me lojtarët e tij dhe u kërkoi atyre që të rikthehen sërish në objektivat e vëna në fillim të sezonit, duke shtuar se rezultatet pozitive janë kusht. 

 Takimi zgjati rreth një orë dhe u zhvillua në qendrën sportive nën sytë e trajnerit Carlo Ancelotti, drejtorit sportiv Giuntoli, zëvendëspresidentit Edo De Laurentiis dhe administratorit Chiavelli. 

Megjithëse futbollistët i kërkuan falje, presidenti De Laurentis ka qenë i prerë dhe nuk i ka falur gjobat, të paktën për momentin.

Nëse futbollistët rikthehen te fitoret dhe me sjelljet e tyre në fushë dhe jashtë saj tregojnë se kanë marrë mësim nga situatat e fundit, atëherë do të bëhet një tolerim. Kujtojmë që De Laurentis u kishte kërkuar që të qëndronin të grumbulluar për shkak të rezultateve negative megjithatë futbollistët kishin refuzuar dhe pas ndeshjes janë larguar të gjithë për në shtëpi.