Qeveria: Trajtim të veçantë familjeve të viktimave, apartamente edhe në Tiranë

Qeveria ka vendosur t’i fusë në shtëpi të reja, familjet e viktimave të tërmetit në Thumanë dhe në Durrës. Kryeministri Edi Rama tha sot në mëngjes në mbledhjen e Qeverisë që të kontaktohet me këto familje se ku duan të jetojnë dhe Qeveria është gati t’i japë atyre apartamente edhe në Tiranë.

Pasi lexoi listën e plotë të familjeve të viktimave, për të cilën Rama la hapësirën që të plotësohet nëse ka nevojë, ai tha: “Për familjet që patën viktima, kryeministri Rama, duke kërkuar ndjesë për ndonjë lapsus apo mungesë që do të ketë, kush hyn në këtë kategori duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe këto shtëpi duhet të hyjnë në shtëpi të reja urgjent. Ne i kemi gati mundësitë për ta. Duhet caktuar një person specifik për ta dhe duhet një person në Shtab që të bëjë kontaktin me ta që të thonë se ku duhet të rrinë.

Familjeve në Thumanë jemi gati t’u afrojmë menjëhërë apartamentin në Tiranë.

Jemi gati dhe kemi arredimin për 6 apartamente në Thumanë, por ju lutem një komunikim në Thumanë që të dimë dëshirën e tyre. Dhe ky është akti i parë që dhe  bërë në kohë rekord. Ne jemi gati, komunikimi të na sjellë gatishmërinë e tyre nëse duan të vijnë në Tiranë, si ata të Thumanës, si ata të Durrësit. “

Ndër të tjera merren këto vendime:

• Të gjitha familjet e viktimave në shtëpi të re menjëherë - afati maksimal brenda mesit të muajit dhjetor
• Lindita Cara dhe Albert Cara, dy të mbijetuar që humbën totalisht familjet e tyre, trajtim të posaçëm shtetëror gjithë jetën
• Të gjithë anëtarët pensionistë të familjeve të viktimave, pension të posaçëm në vlerë të barabartë me pensionin që shteti shqiptar jep në bazë të ligjit, për individët me kontribute të veçanta në art, kulturë, shkencë, sport, etj...
• Të gjithë anëtarët nxënës apo studentë të familjeve të viktimave, bursë mujore 15 mijë lek të reja, deri në përfundimin e shkollës dhe/apo studimeve të larta
• Të gjitha familjet e viktimave 1 milion lek të reja, përfshirë edhe familjet e dy viktimave nga Kosova