I arrestuan vajzën për 'panik'/ Babai i përlotur: Drejtësia të godasë aty ku humbën jetën 50 persona

Xhuliana Aliaj është vajza që u arrestua mbrëmjen e djeshme, pasi bëri një thirrje për të gjithë banorët e Porto Romanos të largohen nga Durrësi, për shkak të frikës së shpërthimit të depozitave të gazit.

Ajo i ishte referuar gazetës së Vatikanit 'L’Avenire', që ka botuar fake news për Porto Romanon.

Ndërsa Xhulia, studente e degës Financë-Bankë në Univeristetin Aleksandër Moisiu, ndodhet ende në burg, gazetari i Dritare.net Isa Myzyraj kontaktoi me  babain e saj Fatmir Aliaj i cili tregoi si ka ndodhur ngjarja.

“Arrestimi i Xhulias na erdhi e papritur. Edhe ne si të gjithë qytetarët e Durrësit, ikëm në Tiranë te njerëzit tanë për të shpëtuar. Merret vajza në orën 11 të natës? Për çfarë; sepse iu referua një portali italian, mesa më thanë. Edhe ne aty në Porto Romano ku banojmë jemi të gjithë të njohur me njëri-tjetrin. Normalisht ajo ka pasur të drejtën e frikës, sepse Zoti e ka dhënë frikën. Unë nuk shoh se ka bërë ndonjë krim, ndonjë turp apo pisllik, kundër shtetit, as kundër familjes apo shoqërisë. Unë jam shumë i indinjuar.  Vajza ime njihet edhe në lagje, edhe në shkollë, edhe aty ku ka mbaruar univeristetin. Aktiviste, gjithmonë me të drejtën, besimtare. Përfundon aty”, tha i përlotur Aliaj për Dritare.net

Më pas ai bëri apel për drejtësinë shqiptare.

“Nëse mundeni të kërkoni padrejtësinë në gërmadhat e Durrësit ku kanë humbur jetën 50 persona, ku janë traumatizuar me qindra dhe mijëra, ndër ta jam dhe unë. Drejtësia të godasë aty, jo në njerëz të pafajshëm. Ju lutem vetëm solidaritet shqiptarit”, ka thënë ai.