Rama: Në festat e Atdheut, flamuri nuk ulet në gjysmështizë

Qeveria shqiptare ka vendosur të mbajë një ditë zie kombëtare në nderim të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që deri tani ka marrë jetën e 24 njerëzve dhe ka shkaktuar qindra të plagosur dhe dëme materiale.

Kryeministri Edi Rama e njoftoi këtë lajm direkt nga mbledhja e Këshillit të Ministrave që ka nisur sot në orën 7:00 dhe sqaroi se Shqipëria do të donte të mbante 3 ditë zie, por për shkak të festave kombëtare të 28-29 Nëntorit kjo është e pamundur, sipas një norme ndërkombëtare. Por, Rama theksoi se 28-29 Nëntori nuk do të jenë ditë festimesh, por ditë solidariteti.

“Sot qeveria do të miratojë vendimin e Ditës së Zisë Kombëtare. Meqënëse kjo ditë pararend ditët e festave të 28-29 Nëntorit, e ka bërë të pamundur të kishim tre ditë zie siç do të donim, për shkak të përmasave të jashtëzakonshme të kësaj tragjedie dhe një bilanc që sipas të gjtiha gjasave nuk do të mbetet me kaq – dhe na ka pamundësuar ta imagjinojmë Flamurin Kombëtar në gjysmështizë në ditët e 28-29 Nëntorit - ashtu sikundër është një normë ndërkombëtarisht e konfirmuar se asnjëherë në ditët ndërkombëtare të vendeve nuk mund të ketë zi, sepse janë ditë që kanë brenda përzishmërinë e një kujtimi të jetëve të dhëna për Atdheun.

Por është e kuptueshme që në këto rrethana, dy ditët më të rëndësishme nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive, por me të gjithë solemnitetin e nevojshëm dhe domosdoshmërinë për të mos e shkëputur asnjë sekondë vëmendjen nga situata akute. Ndaj mendoj se meritojnë të shihen si ditë solidariteti ndërkombëtar, kur respekti për të shkuarën që mishërojnë të njehsohet me kontributin e gjithkujt që ka në zemër nevojën për të kontribuar për të shëruar plagët e mëdha që ka hapur kjo tragjedi.”