‘Me këtë klasë politike jeni të pashpresë’/ Çfarë paralajmëroi Meta

Presidenti Ilir Meta doli në mbrëmje përpara mediave për të bërë sërish thirrje qytetarëve që të dalin në shesh në 8 dhjetor. Kreu i shtetit foli për një Dhjetor të Dytë, këtë herë për të vendosur pushtetin e qytetarëve përmes demokracisë direkte.

Meta tha se nuk do ikë nga sheshet pa u kthye shqiptarëve të drejtën e referendumit, që është e vendosur në Kushtetutë.

Presidenti tha se qytetarët do të dalin në shesh pa flamuj partiakë, por do të kërkojnë një të drejtë, për të vendosur me votë për gjërat e rëndësishme në jetën e tyre.

Ai theksoi se shqiptarët janë të pashpresë me këtë klasë politike.

“Nuk kemi asnjë referendum në 21 vite sepse politika e ka ndaluar. Si president kam vendosur pas gjithë përpjekjeve të mia për të gjetur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës dhe kësaj loje, kam vendosur të zbres në shesh dhe nuk do të iki nga sheshi derisa t’i kthejmë shqiptarëve të drejtën e referendumit që e kanë në Kushtetutë. Dua t’i them të gjithë shqiptarëve se me këtë klasë politike jeni të pashpresë. Kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë. E vetmja rrugë është ushtrimi i demokracisë direkte. Në të gjitha sheshet e Shqipërisë do të komunikojmë me popullin. Populli shqiptar të mos mbetet më në mëshirën e partive. Do të fillojë një epokë e re, ajo e partive përfundoi”, tha Meta.