Komisioni Hetimor ndaj Metës/ Ja çfarë i kërkojnë socialistët Ruçit

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do t'i kërkojë kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të shtojë fakte të reja në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur ndaj Presidentit Ilir Meta.

Kërkesa pritet të dorëzohet ditën e nesërme në orën 9.00 në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të shqyrtohet edhe kërkesa e deputetëve e cila konsiston: “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve në organet e qeverisjes vendore”.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi me një kërkesë për shtesë në objektin e komisionit hetimor, pasi siç pretendojnë socialistët: “Presidenti i Republikës, në një kurs përplasjeje të plotë të tij me Kuvendin dhe institucione te tjera kushtetuese, ka vijuar cenimin e Kushtetutës me pasoja të rënda, përmes veprimeve konkrete apo mosveprimeve të qëllimshme, të cilat po i rendisim dhe faktojmë në vijim. Rrjedhimisht, vlerësojnë të domosdoshme që edhe këto veprime te behën pjesë e vlerësimit nga Kuvendi i Republikës, në kuadër të procedurës se nisur tashmë për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.

Në kërkesën drejtuar kryeparlamentarit, grupi i PS-së veçon si çështje për t’u hetuar nga parlamenti edhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. “Njësoj siç veproi me dekretin e datës 10 qershor 2019, kur në tejkalim të kompetencës kushtetuese, Presidenti anuloi dekretin e tij nr. 10928/2018 për caktimin e datës 30 qershor 2019 si date për zgjedhjet vendore, me dekretimin e Znj. Marsida Xhaferllari, si gjyqtare kushtetuese, Presidenti ka vepruar përtej kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore, duke demonstruar ne mënyrë të përsëritur papërgjegjshmëri institucionale si dhe duke përdorur ne mënyrë abuzive pushtetin qe i ka ngarkuar Kushtetuta”, thuhet në dokument.