PD, Bardhi: Mbështesim ngritjen e SPAK, Rama po e dublon me ligj

Partia Demokratike përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, përshëndeti ngritjen e SPAK, por tha se puna e këtij institucioni do të dublohet nga ajo që propozoi kryeministri Edi Rama sot.

“PD përshëndet ngritjen e SPAK dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture. PD ka vullnetin për t’i dhënë besimin e plotë dhe për të mos paragjykuar asnjë prokuror të kësaj strukture,” tha Bardhi.

“Në ditën e ngritjes së tij, SPAK ka përballë të njëjtin kundërshtar që e pengoi për 3 vjet me rradhë. Me një shfaqje qesharake propagandistike, Edi Rama, njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më parë

Në thelb, ligji RKÇK – Rama Kap ÇA T’KAPËSH – nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias.

Masat e prezantuara janë sot ose në Kodin Penal, ose në ligjin antimafia. E reja e vetme e ligjit “Rama Kap Ça t’Kapësh” është marrja e kompetencave të SPAK-ut dhe BKH-së, duke ia dhënë ato një grupi nën kontrollin e Kryeministrit,” theksoi zyrtari i lartë demokrat.