Presidenti: Dënim me të gjithë forcën e ligjit, dhunës ndaj grave

Dalë midis një grupi grash në karrierë, Presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh sot për elimininimin e dhunës ndaj grave dhe ka deklaruar se i bashkohet fushatës ndërkombëtare “Ta ngjyrosim botën portokalli”.

“Fenomeni i dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk duhet rreshtur kurrë së dënuari, - shkruan Meta në Fb. -  Çdo akt burracak dhune, verbale e fizike ndaj tyre, nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet, sidomos nga një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta.

Një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ndaj edhe sot në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në mbështetje të fushatës botërore "Ta ngjyrosim botën portokalli", Institucioni i Presidentit të Republikës do të solidarizohet me këtë nismë jetike për shoqërinë tonë, dhe domosdoshmërinë e dënimit me të gjithë forcën e ligjit të dhunës verbale e fizike ndaj grave dhe vajzave.”