Armando Sadiku gjen golin në Spanjë

Sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku, ka gjetur rrugën e rrjetës me skuadrën e Malagas, në sfidën ndaj Elçes, e vlefshme për javën e 17-të të La Liga 2, që përfundoi në barazim 3-3.

Miqtë ishin duke udhëhequr deri në minutën e 78-të, me rezultatin 1-3, ndërkohë që në fundin e ndeshjes, Malaga, arriti të shënonte 2 gola, duke marrë 1 pikë të rëndësishme.

Në minutën e 79-të, Sadiku, u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke ngushtuar shifrat në 2-3, ndërkohë që 3 minuta më pas, ishte Paçeço, i cili shënoi golin e barazimit.

Në këtë përballje u aktivizuan nga minuta e parë dy futbollistët e Kombëtares, Bare dhe Sadiku, të cilët bënë një paraqitje dinjitoze.

Për Sadikun ky ishte goli i  4-t, në kampionat, teksa në të kaluarën i ka shënuar Mirandes, Zaragozës dhe La Korunjës.