Qeveria jep nga një pulë fshati shpërblim për pensionistët

Qesharake, po e vërtetë! Vetëm 3 mijë lekë të rinj do të jetë shpërblimi i fundvitit i qeverisë për të gjithë pensionistët, personat me ndihmë ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuar.

Vendimi është marrë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa nga ky shpërblim do të përfitojnë gjithsej 731 mijë persona, ku 635 mijë janë pensionistë.

Por një shpërblim i tillë, 3 mijë lekë, ndoshta nuk mjafton për të blerë as një pulë fshati.

Në një kohë kur çmimet janë rritur dhe jetesa është bërë më e kripur, shpërblimi i akorduar nga qeveria Rama është më shumë se qesharak.

Një vit më parë, shpërblimi për këto kategori ishte në masën e 5 mijë lekëve të rinj, por sipas qeverisë, ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit ka përcaktuar një nivel më të ulët të dhënies së këtij bonusi këtë fundvit.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë realizuar 103 milionë dollarë më pak se plani, por rënie në realizim kanë patur edhe shpenzimet publike.

Kërkesa për dhënien e shpërblimit u kërkua fillimisht nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë, ndërsa drafti me aktin normativ të ndryshimit të buxhetit pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave javën e parë të muajit dhjetor.