Zyrtare/ Juventusi rinovon kontratën me ‘xholin’ e ekipit

Juan Cuadrado do të vazhdojë të mbetet pjesë e Juventusit të paktën edhe për dy vite e gjysmë.

Futbollisti kolumbian ka zgjatur sot marrëveshjen e tij me klubin bardhezi, duke vazhduar bashkëpunimin me skuadrën ku rrugëtimi i tij ka qenë paksa i veçantë.

Cuadrado shkoi në Torino si një sulmues krahu, por pak nga pak përfundoi duke luajtur si “xhol” në mesfushë e sulm e tani e sheh veten si një mbrojtës të mirëfilltë në skemat e Sarrit.

Futbollisti ka shënuar më pak se sa mendohej, vetëm 15 gola që nga sezoni 2015-2016 kur veshi për herë të parë fanellën bardhezi, por ka qenë vendimtar me asiste, duke dhënë 28 të tillë.

Megjithatë, me 4 tituj të Serisë A, 3 Kupa Italie dhe 1 Superkupë, kolumbiani i njohur edhe si “balerini” i grupit falë vallëzimeve të tij në fushë, ka arritur të kthehet në një element të rëndësishëm të grupit.

Për këtë arsye, Juventusi ka nxituar që të siguronte zgjatjen e kontratës së tij para se të tundohej nga ndonjë ofertë e një klubi tjetër.