Pas stadiumit, edhe Muç Nano thotë ‘Rama ik’

Analisti dhe gazetari, Mustafa Nano, i ftuar në emisionin ‘Historia ime’, për të folur mbi librin e tij më të ri me titull ‘Si e kam njohur’, është ndalur edhe te kryeministri Edi Rama, personazh në librin në fjalë.

Sipas tij, Rama është i zbrazët nga motivimet dhe thekson se ai është kryeministri më i trishtuar në botë.

“Rama, ndër personazhet e librit, është njëri prej atyre që unë e njoh më mirë sepse kam pasur edhe kontakte personale. Kontaktet e mia personale me Ramën kanë qenë kontaktet e mia më të mira me një politikan sepse kanë qenë të natyrës intelektuale. Kemi shkëmbyer idera politike, nuk kam pasur marrëdhënie siç kanë shumë kolegë të mi me politikanët, që i kanë shumë të afërta. Nuk i kam pasur asnjëherë të afërta, jemi takuar, kemi biseduar, kemi shkëmbyer ndonjë libër. E këtij niveli, e këtij lloji ka qenë marrëdhënia.

Si politikan e kam ndjekur vazhdimisht, fillimisht më ka inspiruar me natyrën e vetë, me kurajon e vet. Por me kalimin e kohës, Rama i ka humbur motivimet e mira që ka pasur, nuk ka më motivime, është i zbrazët nga motivimet. Por unë e shoh, ai është edhe i trishtuar, është Kryeministri më i trishtuar në botë”, u shpreh gazetari Mustafa Nano.