Ftesa e OSBE-së/ PS dhe PD ulen sërish bashkë për reformën zgjedhore

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të ulen sërish së bashku në një tryezë për reformën zgjedhore. Vizion Plus raporton se opozita ka pranuar ftesën e OSBE dhe të martën do jetë e pranishme në tryezë.

Tryeza do të ketë në fokus financimin e partive politike dhe fushatës zgjedhore. Ajo do jetë tryeza e dytë që OSBE dhe komisioni i posaçëm për reformën elektorale organizojnë për ndryshimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet.

Ashtu si ne tryezën e parë, sërish Partia Demokratike do të përfaqësohet në nivel teknik në këtë takim, duke treguar vullnetin e saj për realizimin e reformës zgjedhore.

Ndryshe nga masat e propozuar nga komisioni parlamentar për transparencën e financimit të partive politike, opozita kërkon që shpenzimet e partive në fushatë të mbulohen në masën 100% nga shteti, duke nxjerrë jashtë loje financimet private. Por në këtë situatë nuk janë zgjidhjet teknike ato që ndajnë palët.

Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh Komisionin e Posaçëm Parlamentar duke kërkuar që reforma të realizohet nga PS e PD me praninë e ndërkombëtarëve. Ky kusht ka bërë që të dy kampet të punojnë paralelisht për reformën elektorale, secila me ekspertët e saj.

Por edhe pse ende nuk ka shenja kompromisi, mazhoranca e dha shenjën e parë të tërheqjes ditën e premte. Shumica hoqi dorë nga angazhimi për të miratuar reformën zgjedhore brenda këtij viti, duke shtyrë afatin e komisionit.

Tashmë të dy palët kanë kohë deri në fund të muajit shkurt për të realizuar një reformë zgjedhore konsensuale.