Kush është pronari i ‘Bordellos me virgjëresha’ që përmendi Edi Rama?!

Pak pasi votoi për zgjedhjet brenda partisë që drejton, Edi Rama, ka folur edhe për një projekt ligj i cili sipas tij do të bëjë që personat e inkriminuar të mos munden më që të dalin si kandidatë për deputet, kryetar bashkish apo poste të rëndësishme publike nga partitë.

Sipas Ramës ky ligj do ti japë të drejtë prokurorisë dhe policisë, që të ndërhyjë më herët në proces për të evidentuar prurjet e krimit brenda partive, apo që propozohen prej tyre.

Dhe si për ti vënë ‘pikën mbi i’ duke synuar që edhe për një fenomen (ekskluziv i tij) si ai i infiltrimit të krimit në parlament, pushtetin lokal e madje edhe në administratën e lartë shtetërore, ta drejtojë gishtin nga opozita,  e mbylli retorikën e tij  me një krahasim nga bota e industrisë së seksit me pagesë.

‘Dhe për ata që bëjnë moral për këtë çështje mund tu them se është njësoj si puna e asaj pronares së një bordelloje, që rri te porta dhe ju flet klientëve për virgjërinë e atyre që ka brenda’, tha Rama ndërkohë që Elisa Spiropali në krah të tij, u shkri fare me këtë gjetje.

Po kush është në fakt pronari i ‘bordellos’, që përmendi Edi Rama?!

Kujtojmë se vetëm gjatë zgjedhjeve të fundit lokale të 30 qershorit të cilat i realizoi pa kundërshtarë, deri më tani i janë zbuluar dy ‘virgjëresha’ (Kryetari i bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri dhe ai i Vorës, Agim Kajmaku), kurse disa të tjera janë në radhë për ‘certifikim’. Ndërkohë që nëse mund të ketë një rekord të tijin gjatë këtyre 7 vite qeverisje si pronar i ‘Rilindjes’, Edi Rama, ka pikërisht atë të prostitutave të krimit të cilat jua ka shitur shqiptarëve si ‘virgjëresha duke i bërë deputet, kryetar bashkish, këshilltarë e drejtorë të lartë në administratë.

Kujtojmë gjithashtu se ishte vetë Edi Rama që qëndronte te porta e ‘Shtëpisë Publike’ i cili edhe pasi u vërtetuan nga dekriminalizimi, se ‘virgjëresha’ si Frroku, Noka, Prenga, Rroshi, Pjetri, Kajmaku, etj, ishin punëtorë të Bordellos së krimit, ngulte këmbë që tu mbushte mendjen shqiptarëve që të frekuentonin ‘shtëpinë’ e tij plot me ‘virgjëresha’!