'Ta gëzoni reformën në drejtësi'/ Reagon aktivisti: Nipi i atij që më pushkatoi gjyshin, sot kryeson listën për kryeprokuror

Prokurori Olsian Çela është renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.

Çela ka grumbulluar 459 pikë, më pas në vendin e dytë është renditur Arta Marku me 406 pikë dhe Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Por lidhur me kandidaturën e tij ka reaguar edhe mjeshtri i memeve, aktivisti Genc Sejko, raporton Syri.net.

Përmes një postimi në Facebook, Sejko shprehet se, kandidati për Kryeprokuror është nipi i ish kryeprokurorit të regjimit komunist, Aranit Çela, i cili është edhe firmëtari i pushkatimit të gjyshit të tij, Taho Sejko.

“Ky është gjyshi im. I pushkatuar nga gjyshi i atij që kryeson listën për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm. T’a gëzoni reformën në drejtësi. Do më falni mua, që nuk i bashkohem entuziazmit tuaj dhe të atyre që shkruajnë nga rruga e Elbasanit”, shkruan Sejko në postimin e tij.

Emri i Olsian Çelës është mbuluar me hije të forta dyshimi për një prej dosjeve më të nxehta të kohëve të fundit për drogërat e forta. Bëhet fjalë për hetimet për “Xibrakën”, ku Çela ka qenë prokuror i këtij rasti. /Syri.net