‘Dua që vajza ime të rritet e lumtur’/ Kërkesa e Marjana Cmetës para dënimit

Marjana Cmeta, e akuzuar për vrasjen e ish-vjehrrës së saj, Lirie Lami, u dënua një ditë më parë me 32 vite burg. Cmeta akuzohej se e helmoi vjehrrën e saj, por ngjarja fillimisht nuk u mësua dhe u maskua si vdekje natyrale.

Vetëm kur Cmeta u rrëfye tek hoxha për ngjarjen e rëndë, u mësua e vërteta.

Përpara gjykatës, Cmeta kërkoi vetë mëshirë. Ajo tha se do që vajza e saj e vogël të rritet e lumtur.

“Moralisht dhe shpirtërisht jam e shkatërruar. Jam e shokuar nga akuza për të cilën po gjykohem. Dua të them që jam nënë e një vajze 2-vjeçare, e cilia po rritet në çdo derë pa nënën e saj. Ju lutem vini dorën në zemër. Unë para vetes dhe Zotit jam e pafajshme. Për konfrontimin me Lirie Lamin mbaj përgjegjësi të plotë, por jo për këtë akuzë. Ju lutem, mos e lini vajzën time që të rritet jetime. Ju lutem, bëni që vajza ime të rritet e lumtur dhe me nënë. Ju vetë jeni prindër dhe e dini ç’do të thotë të jesh nënë”.

Pavarësisht kësaj lutje, Cmeta u dënua me 32 vite burg.