VIDEO/ Skandali me plazhin në Sarandë/ Protestuesit kërkojnë kryetarin e Bashkisë, në takim u vjen Fusha Sh.p.k i Ramës

Saranda këto ditë po vlon nga protestat e banorëve që kundërshtojnë punimet për zgjerimin e shëtitores në plazhin e Centralit në Sarandë.

Ditën e sotme ata kishin kërkuar takim me kryetarin e Bashkisë, por në vend të tij përballë qytetarëve të Sarandës është paraqitur inxhinieri i firmës Fusha Sh.p.k, e njohur tashmë si firma e parapëlqyer e Ramës për të kryer punime jo vetëm në Tiranë por në të gjithë vendin.

Banorët kërkojnë me ngulm që të mos u preket plazhi historik si dhe janë shprehur kundër hedhjes së zhavorit dhe inerteve në rërën e plazhit që do ti shërbejë kompanisë si kantier ndërtimi i punimeve që do të bëhen në bulevard.

“Do të donim të zgjatej bulevardi. Në këtë kohë por të mos prishim ato gjëra që ne i kemi. Bekime që i kemi nga natyra nuk duhet t’i humbasim. duhet përmirësuar ky qytet. Ato që janë pronë monumente dhe traditë që vijnë nga e shkuara duhet të ruhen.” tha një banor.