Kombëtarja zhvillon stërvitjen e parë, probleme për Strakoshën dhe Balaj

Kombëtarja ka zhvilluar ditën e sotme në orën 15:00, stërvitjen e parë në prag të sfidës ndaj Andorrës që do të zhvillohet ditën e enjte në “Elbasan Arena”.

I pranishëm në seancën e parë ka qenë edhe sulmuesi Florian Kamberi, i cili është risia e listës së Edi Rejës për dy përballjet e nëntorit të fundit të vlefshme për eliminatoret në Euro 2020.

Vlen të theksojmë që Thomas Strakosha nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e sotme për shkak të një problemi në bërryl, teksa probleme ka shfaqur edhe sulmuesi Bekim Balaj, që ka ndjerë shqetësim në kofshën e djathtë.

Të pranishëm ditën e sotme kanë qenë edhe 2 futbollistët e Kombëtares U-21, Serxho Kalaj dhe portieri Andrea Hoxha. Ata do të stërviten me Kombëtaren A, deri në momentin sa të mbërrijnë të gjithë lojtarët, teksa më pas do t’i bashkohen Shpresave që drejtohet nga Alban Bushi.