Darka në Ohër, Rama me Vuçiçin përballë dhe Bregun në krah

Në Ohër po zhvillohet Samiti dy-ditor në kuadër të nismës për "Shengenin ballkanik".

Pas takimit informal 120-minutësh mes Zoran Zaev, kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, biseda u zhvendos në një darkë zyrtare në një nga restorantet e Ohrit.

Siç shihet në pamjet që publikon Ora News, Rama ka zgjedhur të ulet në tryezë përballë presidentit Vuçiç, teksa në krah të këtij të fundit është ulur Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, e cila po ndjek nga afër Samitin.

Ndërkohë axhenda e të dielës do të nisë me mbledhje pune ku përveç tre liderëve të Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi.

Ndërkohë në Samit mungon Kosova. Presidenti i saj, Hashim Thaçi, përmes një reagimi publik, u shpreh se ka refuzuar pjesëmarrjen për shkak se  Kosova nuk merr pjesë në një Samit me shtete që nuk e njohin.

Pas mbledhjes, të dielën në 12:00 do të ketë një konferencë të përbashkët. 

Pas mbylljes së punimeve të Samitit të Ohrit pritet të ketë një Samit në Tiranë që me shumë gjasa mund të mbahet në muajin dhjetor.