Rama: Na e kanë marrë me forcë busullën, BE ka nevojë për ne

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish për çështjen e integrimit. Duke folur në forumin e Davos në një panel për Dialogun Strategjik në Ballkanin Perëndimor, Rama përsëriti se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa ka nevojë vetë Ballkani Perëndimor për BE-në.

Rama tha se në këtë momente duket sikur kemi humbur orientimin.

“BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa ne kemi nevojë për BE. Ata që nuk e kuptojnë këtë, nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes. Në këtë moment, vërtet që ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën”.

“Procesi i integrimit është karakterizuar në 5-6 vitet e fundit, të paktën, nga gjithmonë e më shumë paparashikueshmëri. Ajo që ndodhi në tetor e bëri plotësisht të paparashikueshëm. Ndërsa flasim, nuk kemi më shumë mundësi të dimë se çfarë duhet të bëjmë për të marrë atë që kërkojmë, pasi është e qartë që natyra e vendimeve në KE është shumë më e përcaktuar nga vetë vendet anëtare të BE-së, sesa nga çfarë bëjmë, apo nuk bëjmë ne”.