Vdes studenti 22-vjeçar, ra nga lartësia gjatë protestave në Hong Kong

Një 22-vjeçar, student i universitetit në Hong Kong, i cili pësoi një dëmtim të rëndë në kokë pasi ra në një garazh parkimi afër zonës së protestave, ka vdekur ditën e sotme.

Lajmin e konfirmuan të premten autoritetet e spitalit, një zhvillim që mund të ndezë më tej tensionet në qytetin gjysmë autonom kinez, raporton CNN.

Policia thotë se Chow Tsz-lok, student i shkencave kompjuterike në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Hong Kong (HKUST), ra nga kati i tretë në katin e dytë të një garazhi parkimi, në zonën e banimit të Tseung Kwan O në orët e para të 4 nëntorit.

Incidenti ndodhi ndërsa policia u përlesh me protestuesit gjatë një proteste antiqeveritare.

Autoriteti Spitalor Hong Kong konfirmoi që Chow vdiq të premten në 8:09 me orën lokale.

Chow kishte qenë në gjendje kome pasi mbërriti në Spitalin Mbretëresha Elizabeth në Kowloon të hënën në mëngjes.