Deschamps: Griezmann-it i duhet më shumë kohë për t’u përshtatur te Barça

Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, beson se Antoine Griezmann do të zhvillojë një karrierë shumë të suksesshme në Barcelonë.

Gjatë merkatos së verës Antoine Griezmann e la Atletico Madridin për Barcelonën, por francezi nuk ka arritur ta gjejë formën e tij më të mirë në stadiumin “Camp Nou”.

Megjithatë, Deschamps nuk është i shqetësuar për Griezmannin, duke pretenduar se atij thjesht i duhet edhe më shumë kohë për t’u përshtatur me jetën në klubin e tij të ri.

“Edhe nëse ke lojtarë të mrekullueshme në Barcelonë, gjithçka s’mund të funksionojë brenda ditës. Varet nga mënyra se si ata luajnë, nga mënyra se si ata bashkëpunojnë mes tyre”, ka thënë Deschamps.

“Gjithashtu, Griezmann është duke luajtur në një pozicion të ndryshëm nga ajo që e ka në Francë”.

“Ai duhet të përshtatet, ashtu si lojtarët e tjerë. Ai nuk e bëri zgjedhjen më të lehtë dhe Barcelona është një klub i madh, kështu që edhe pritshmëritë për të janë të mëdha. Ai është gjithmonë pjesë e skuadrës, por nuk është mësuar ende”.

“Edhe kur ai nuk është aq i mirë, ai është gjithmonë pozitiv për skuadrën. Me ne, është një situatë ndryshe, një pozicion ndryshe, ai mund të luajë në pozicionin e tij më të mirë që ia kam dhënë për një kohë të gjatë. Natyrisht, ai ka shumë rëndësi për mënyrën se si ne luajmë”, përfundoi Deschamps.