Nuk është vetëm Kuman, një emër tjetër del në skenë për marrjen e drejtimit të Barcelonës

Ernesto Valverde i ka ditët e numëruar në drejtimin e skuadrës së Barcelonës pasi tashmë është e qartë për të gjithë se trajneri nuk arrin t’i japë ekipit frymën që kërkohet për t’u kthyer në skuadrën dominuese të viteve të mëparshme. Ekipi po zhgënjen tashmë me rezultate e lojë e kjo ka bërë që trajneri të shihet gjithnjë e më shumë pranë largimit.

Prej kohësh ka dalë në skenë emri i Ronald Kuman, trajnerit të Holandës, i cili përveç të tjerave ka në kontratën e tij edhe një klauzolë që e lejon të largohet nëse e kërkojnë katalanasit ku ka qenë për shumë vite lojtar. Por Kuman nuk është alternativa e vetme. Klaudio Borgi, ish-kampion bote me Argjentinën, ka deklaruar sot se ka bindjen e plotë se në dhjetor një nga trajnerët argjentinas më të shquar të viteve të fundit do të marrë drejtimin e katalanasve.

“Marcelo Gajardo do të bëhet trajneri i Barcelonës në dhjetor. Ky është një informacion që kam siguruar unë. Marcelo është një prej trajnerëve më të mirë në botë”, tha ai për teknikun i cili drejton River Plejt që nga viti 2014 dhe është kthyer në trajnerin më të suksesshëm të historisë së klubit. River Plejt doli menjëherë me reagim duke hedhur poshtë këto deklarata, por Borgi insistoi. “E di që presidenti D’Onofrio ka thënë se Gajardo mund të largohet vetëm nëse jep dorëheqjen, por janë informata që i kam nga burime direkte”, shtoi ai.