Prodhimet detyrohen t'i hedhin në rrugë/ Fermerët e Myzeqesë protestë në Tiranë

Fermerët e Myzeqesë kanë ardhur në Tiranë për të protestuar për problematikat me të cilat përballen çdo ditë. Ata po protestojnë tek Ministria e Bujqësisë.

Fermerët e Myzeqesë prej kohësh protestojnë për shkak se nuk u shiten prodhimet bujqësore.

Ata shprehen se prodhimi nuk u shitet dhe detyrohen ta hedhin.

“Kemi marrë kredi, banka do lekë, ku t'i gjejmë. Kemi 5 vite në këtë situatë. Nuk ka treg. Në Tiranë është me 100 lekë, kurse ne e shesim me 1 lekë. Kërkojmë nga qeveria të na japë subvencionet. Nuk ka dhënë asnjë subvencion. Më thanë që duhet të merrja 500 mijë lekë shtatorin e vitit të kaluar dhe nuk i kam marrë. Kam 3 dynym sera dhe nuk po nxjerr dot lekët për bukën time,”-tha një prej fermerëve.

“Prodhimi nuk është shitur, ka mbetur në sera. Kam bërë 3 vite rresht dokumentet dhe nuk më kanë dhënë asgjë,”-shtoi një tjetër fermer.

Fermerët akuzojnë qeverinë se po i gënjen.

"Nuk kemi shpresa nga ky shtet po na gënjen. Në këtë moment që ky popull është keq të na japë një subvencionim që t'i mbjellim sërish vitin tjetër.”